Qarkullonin me automatik në makinë, arrestohen 2 persona, njëri ishte në kërkim (EMRAT)

Forcat e policisë në Malësinë e Madhe kanë vijuar operacionin “Vallas”, ndërsa kanë arrestuar dy persona të tjerë në flagrancë.

Në automjetin që drejtonte shtetasi Arian Popa dhe ishte pasagjer Herolind Sadikaj u gjet një armë zjarri automatik, të pajisur me silenciator, dylbi të montuar dhe me krehër me 21 fishekë.

Njoftimi i policisë:

Operacioni “Vallas” u zhvillua në muajin qershor të këtij viti dhe u finalizua me sekuestrimin e 246 kg kanabis, arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 8 bashkëpunëtorëve të tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrolleve në terren, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas në kërkim që qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Në rrugën dytësore të fshatit Bajzë, Malësi e Madhe, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti tip “Volkswagen”. Gjatë kontrollit të automjetit ne drejtues shtetasin Arian Popa dhe pasagjer shtetasin Herolind Sadikaj, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, me silenciator, dylbi të montuar dhe me krehër me 21 fishekë.

Në përfundim të veprimeve, u ndalua shtetasi A. P., 38 vjeç, banues në Shirokë, Shkodër, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 19.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, në kuadër të veprimeve procedurale për operacionin “Vallas”.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë pasagjeri në automjetin që drejtonte 38-vjeçari, shtetasi H. S., 21 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë që janë shpallur në kërkim në kaudër të operacionit “Vallas”.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon