Rikthehet sot Operacioni Forca e Ligjit, do të vendosë sekuestro për 3 makina

Pas një muaji “pushim” për shkak të situatës COVID-19, Report Tv mëson ekskluzivisht se Operacioni Forca e Ligjit rikthehet sot me 3 sekuestro emergjente. Gazetari Arsen Rusta raporton se OFL-ja do të vendosë sekuestro emergjente për 3 makina, pronarët e së cilave priten të mësohen në orët në vijim.

Njoftimi i fundit i OFL-së për dërgimin e kërkesave të radhës njerëzve të botës së krimit për deklarimin e pasurisë, ishte në 11 mars. Siç është raportuar më herët, pezullimi i veprimtarisë së OFL ka ardhur nga pamundësia e zbatimit të procedurave të parashikuara në aktin special normativ, sidomos të afateve nga ana e subjekteve të ligjit për deklarimin e pasurive.

Ligji special parashikon që subjekti, në rastin konkret një person i dënuar apo i dyshuar për kryerjen e një ose më shumë nga 45 vepra penale të përcaktuara, ka vetëm 48 orë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të OFL për pasurinë, nga koha që i shkon formulari. Në situatën aktuale, ky afat nuk mund të zbatohet, për shkak të masave të ndërmarra kundër koronavirusit, masa të cilat kanë kufizuar jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe veprimtarinë e institucioneve shtetërore.

Nëse OFL do të vijonte procesin e dërgimit të kërkesave për justifikimin e pasurive në këtë situatë, do të krijonte një alibi të fortë për njerëzit e botës së krimit, për t’i shpëtuar veprimit dhe zbatimit të aktit normativ.

Please follow and like us:
fb-share-icon