Një 55 vjeçar është arrestuar këtë të martë nga Policia e Shkodrës, pasi prodhonte e shiste vezë të pakontrolluara nën emërtimet e markave të tjera.
Mësohet se në kuadër të operacionit Illegality”, është vënë në pranga shtetasi Viktor Gjini.
Ai akuzohet për veprat penale: “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër / Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërive në fushën e aktiviteteve tregtare të paregjistruara në organet kompetente, goditen 4 raste.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Illegality”.
Prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar, vihet në pranga 55-vjeçari.
Në vijim të planit operacional, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas që administronin aktivitete tregtare të paregjistruara në organet kompetente.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.