Shkëlqim Hajno ka promovuar librin “Hebreu i Fundit”
Viktor NASI, studues i letërsisë shqipe, sjell një vështrim kritik mbi librin e Shkëlqim Hajno “HEBREU I FUNDIT”
Në tregimet dhe novelat e vëllimit spikat portretizimi i personazheve me paraqitjen e tyre të jashtme dhe botën e brendshme psikologjike dhe shpirtërore.
Mund të them pa frikë se shkrimtari Shkëlqim Hajno, në tregimet dhe novelat e tij, ka bërë portretizimin e personazheve me mjeshtëri artistike dhe e bind lexuesin për karakteret e tyre.
Ata fiksohen në kujtesën e lexuesit. Krahas portretizimit në çdo tregim dhe novelë pasqyrohet me realizëm dhe fantazi atmosfera karakteristike e periudhës kur ndodh një ngjarje që flet për fatet e njerëzve të ndryshëm, në periudhën para dhe pas viteve ‘90.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me rrëfime historish, por me paraqitjen e tyre letrare dhe artistike, pra, me art, çka u jep tregimeve dhe novelave bukuri, qartësi, duke e tërhequr lexuesin të shikojë, të vëzhgojë, të ndiejë, të dojë apo të urrejë ato të cilat do apo urren shkrimtari. Në tregimin VDEKJA E JANIT, Arjani, i ardhur nga Librazhdi në një fshat minoritar, pas pesë vjetëve punë në çdo shtëpi të fshatit vdes në një aksident rrugor. Ku do të varrosej i ardhuri që fshatarët e quajtën Jani? Kjo ishte pyetja që i shqetësonte të gjithë. Pleqësia e fshatit vendosi të varrosej në fshat me nderimet që i meritonte.
Në tregimin ZILJA ARMIKE shkrimtari, me mjetet e humorit, godet qëndrimin e Mimi Çeçelit, sekretarit të partisë, për dhuratën e dërguar për shkollën nga Amerika, një zile dhe një orë muri. “Një zile armike, një zile amerikane, kapitaliste, e lyer me flori për të na marrë mendjen!” Fjalët e sekretarit të partisë, të thëna me ton të lartë dhe me patos, habitin masën e nxënësve dhe të mësuesve të shkollës. Një skenë komike, që shkakton frikë tek dëgjuesit, por të qeshura dhe indinjatë tek lexuesit. Portreti i sekretarit të partisë, i cili kudo shkon mban me vete sqeparin, veglën e tij të punës, është një ironi dhe sarkazmë e fortë që përdor shkrimtari.
Në tregimin KAMBANAT E KATARËS pasqyrohet me vërtetësi, me të dhëna dhe detaje të goditura, fati i një familjeje blegtorësh gjatë luftës civile në Greqi. Kosta dhe Stavrua, dy vëllezër, luftojnë në ushtritë kundërshtare. Takimi i dy vëllezërve me nënën dhe mes tyre në një natë dhjetori u kthye në tragjedi, si shumë tragjedi familjare që ndodhën në vitet e luftës civile. Nëna Niqi priste të dy djemtë e saj dhe i lutej Shën Mërisë që t’i ktheheshin gjallë nga lufta vëllavrasëse. Tragjedia ndodh në shtëpi, në prani të saj Dy vëllezërit debatojnë, duke mbrojtur secili idetë e tij. Ndërsa vëllai i madh me urtësi përpiqet ta bindë vëllanë e vogël, një krismë dëgjohet e shoqëruar nga kuja e nënës. Kambanat bien në fshat për të nderuar Kosta levendin.
“Vranësirat ia lanë vendin shumë shpejt të ftohtit shpirtëror siberik”, shkruan autori në tregimin DITËLINDJA E MAJORIT. Fati i majorit Progon Kurti u përcaktua nga një vullnetar, nga një Lej Fen i organizatës. Roli i vullnetarëve të atillë në monizëm ishte rezultativ dhe tregonte se syri vigjilent e ndiqte kudo çdo qytetar, se partia dhe qeveria e kapnin lepurin me qerre. Ironia dhe sarkazma e përshkojnë nga fillimi deri në fund tregimin. “Ne jetojmë në shtetin më të bukur në botë, kemi ligjet më të mençura, nuk i hamë morrat dhe i duam mashtruesit që na hanë”, thekson autori në tregimin NË 9 FIKS. Profesori i estetikës, Ari Mesareja, u tregon miqve të tij se si u torturua pskologjikisht për disa javë, duke pritur datën kur duhej të paraqitej në polici. Ndërsa në orën e caktuar ndodhej në polici, e lanë për disa orë të priste personin që do ta merrte në pyetje. Personi i shumëpritur e këshilloi të ishte i kujdesshëm dhe i vëmendshëm, sepse armiku i klasës nuk fle. Sa durim duhej të kishte njeriu në kohën e monizmit? Po të mos duroje, ose do të dënoheshe, ose do të internoheshe, se vullnetarët e kryenin shumë mirë punën e tyre.
Damo Kasneci, personazh i tregimit NATA PA FUND, ishte një njeri thjeshtë dhe i ndershëm. I dha fjalën një të dënuari se do ta ndihmonte dhe e mbajti. Për një natë të tërë në shpirtin e Damos bëhej një duel që e mundonte. U lehtësua kur njeriu që i dha leje u kthye duke e falënderuar.
Novela URA shtjellon historinë e urës me harqe guri të gdhendur dhe me dysheme kalldrëmi, ku shkelnin njerëzit dhe patkonjtë e kuajve të karvaneve, drejt viseve të tjera arbërore. Konti Gjin Shpati, me pasuri të pamasë, priste të bëhej me djalë. Kaluan pesë vjet dhe fëmija e shumëpritur, ai që do të trashëgonte pasurinë, nuk po vinte. Kur shpresat për t’u bërë me fëmijë për Gjinin dhe Tanushën humbën, Gjini mendoi t’i bënte një dhuratë gruas dhe gjithë krahinës. Do të ndërtonte urën me tri harqe, që do të mbetej për breza të tërë. Novela vë në dukje doket dhe zakonet e familjes arbërore. Ndeshemi me mentalitetet për jetën dhe familjen.
Më 12 dhjetor 1990 u vranë në kufi katër djem (tre nga Alikoja dhe një nga Jerma). Të nesërmen vargani i gjatë i fshatarëve të zonës së Alikos, me arkivolet e të vrarëve mbi supe, marshuan drejt qytetit të Sarandës. Në tregimin ANTIBOTË përshkruhet ky marshim. Lejfenët shtrënguan radhët. Organeve të shtetit dhe të partisë u hyri frika, u alarmuan dhe u organizua qëndresa në hyrje të qytetit nga forcat e rendit, urdhër i dhënë nga sekretari i parë i partisë. Ai është portretizuar plotësisht si njeri tiran dhe harbut, të cilin autori me të drejtë e krahason me Himlerin nazist. Kam lexuar disa tregime për atë marshim të fshatarëve drejt qytetit, tregimi për të cilin flasim është më i goditur, më i realizuar artistikisht.
“Varfëria është ulur këmbëkryq si në qytet edhe në fshat. Njerëzit punonin, por kishte mangësi të shumta. Puna në minierë ishte jo vetëm e vështirë, por edhe e rrezikshme. Punëtorët ishin të ndërgjegjshëm për këtë”, shkruan autori midis të tjerash në tregimin LOTËT E BABAIT. Babai i ka premtuar vajzës se do t’i bëjë një dhuratë për ditëlindjen dhe përpiqet ta mbajë fjalën. Fëmijët dhe nëna e tyre prisnin babanë. Pse po vonohej? Jashtë binte shi dhe dëgjoheshin bubullimat. Vajzën e vogël e zuri gjumi me gjithë përpjekjet e të vëllait për ta mbajtur zgjuar. Babai u kthye vonë, i bërë qull dhe nga sytë i rridhnin lotë, sepse nuk mundi ta mbante fjalën e dhënë. Nëpërmjet detajeve të zgjedhura autori vë në dukje se varfëria nuk mundi ta thyente dinjitetin e njerëzve.
Në tregimet VIZITA E BARBARËVE dhe DYNDJA E BRUMBUJVE TË MURRMË autori ka në qendër ngjarje të marsit 1997, kur qyteti u përball me një gjendje të rrezikshme, me njerëzit e armatosur që përpiqeshin të vinin ligjin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në tregimin DYNDJA E BARBARËVE autori shkruan: “Frika, kjo mbretëreshë pa kurorë, me nisjen e një dite të re me diell, mpakej dhe tërhiqej në strofullën e shpirtit të çdo banori. Të banoje ato ditë në pallatet pa porta hekuri, ishte si të dilje në rrugë krejt cullak.” Nëpërmjet pesë kronikave ditore jepet një informacion i plotë për veprimtarinë e “brumbujve të murrmë”, siç i karakterizon autori të rinjtë e armatosur. Tregimi është një satirë e fuqishme kundër dhunës që shkaktoi vdekje dhe humbjen e qetësisë në qytet.
Tregimi ÇANTA ME FLETORE flet për përpjekjen e mësuese Shkëlzenës për të sfiduar vdekjen, qëndrim që i habiti dhe i vuri në mendime mjekët e spitalit të Janinës. Ajo u fiksua në kujtesën e nxënësve të saj si një mësuese që u qëndronte pranë, me ndërgjegje të lartë profesionale dhe dashuri.
Tregimet e librit mbartin ide kundër dhunës psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, internimeve edhe plagëve shpirtërore, të cilat lanë gjurmë tek njerëzit, aqsa edhe pas shumë vjetësh në mërgim, të kenë plagë që nuk i lënë të qetë. Ëndrra e vrarë e tyre u shfaqet në gjumë si një sëmundje psikologjike. Ilianës, personazhit të tregimit ËNDËRR E VRARË i është bërë shprehi frika nga zyrat edhe në Itali, ku jeton prej disa vitesh me fëmijën e saj.
Ironia dhe mjetet e humorit në tërësi janë të pranishme në novelat PUSHIME NË BOHOTINË dhe BUKA E NDARË.
Që në titujt e tyre autori ka bërë një zgjedhje të mençur. Fshati malor i zgjedhur për internimin e njerëzve të padëshiruar për sistemin përcaktohet me ironi si vend për pushime. Dënimi i familjes së Evës u bë i shkallëzuar. Syri vigjilent i vullnetarëve diçka vuri re tek mjeku Isak, ndaj si fillim, e larguan nga Tirana në një qytet të vogël punëtorësh. Isaku punonte si mjek dhe gruaja, Eva, si mësuese. Edhe në qytetin e vogël, Isaku dhe Eva ishin në mbikëqyrje. Burrë e grua u pajtuan me gjendjen e re të punës, deri sa krejt papritur Isaku burgoset për agjitacion e propagandë. Evës i bëjnë presion të dërguarit nga organizatat shoqërore, që ta ndante burrin, se ai ishte armik dhe ajo duhej të vazhdonte punën si mësuese dhe të rriste dy fëmijët larg burrit të saj, armikut të klasës. Meqë Eva nuk pranoi ta ndante burrin e burgosur, partia vendosi ta çonte bashkë me fëmijët në fshatin malor Bohotinë. Atje ajo do të punonte në fidanishte. Fillojnë peripecitë në jetën e Evës në fshat. Siç ndodhte kudo në pikat e internimit, Evës nuk i flisnin fshatarët, i shmangeshin. “Muri shkëmbor i heshtjes me kalimin e kohës, ngadalë dhe fshehurazi, pësonte ndonjë të çarë të vogël. Nënë Zenoja ndër të parët iu afrua Evës dhe e ndihmonte që të ushqeheshin mirë dy vogëlushët e saj.” Varfëria durohej, por për Evën jeta u vështirësua nga përpjekjet e sekretarit të partisë për ta shtënë në dorë. Ai i bënte presion, duke i thënë se ajo ishte grua e bukur dhe partia e do të bukurën, është ajo e para që do ta shijojë. Eva nuk e duronte dot poshtërimin, ndaj vendosi të varej. Në çastin kritik, kur kishte hedhur litarin në grykë, dëgjohet e qara e vajzës së vogël. Ajo e qarë e detyroi dhe e zgjoi nga veprimi i dëshpëruar për t’u varur. Figura e sekretarit të partisë, Shefit Barxhuli, është gdhendur deri në hollësi në pamjen e jashtme, por edhe në ato që thoshte.
“Mbante një kasketë ushtarake kineze dhe kishte një vit që bënte punën e kreut të partisë për krahinën malore… Në Bohotinë çuan pëpr pushime edhe Sevastinë e moshuar me djalin e saj student, Anesti Melo, sepse burri ishte larguar para Çlirimit në Amerikë dhe, sipas të dhënave të partisë, punonte atje si armik i Shqipërisë.”
Autori Shkëlqim Hajno shpjegon, në novelën BUKA E NDARË se ishte hapur lufta pa krisma me të kamurit e fshatit. Ata që e kishin vënë pasurinë me djersë dhe në kurbete, po shikoheshin me një sy tjetër. Po kështu dhe ata që kishin mbaruar shkollën në Greqi, po shikoheshin shtrembër. Niko Ifandaqi u largua nga fshati i tij për në një fshat grek kur ishte shtatë vjeç, në kohën e luftës italo-greke.
“Në çdo hap të moshës ndjente si një vullkan mallin e pashuar për vendlindjen, që i flinte, i rritej dhe i pulsonte në gji, si ajo llava poshtë shtresës së hirit.” Thomai është i shqetësuar se një mikun e tij e pushkatuan dhe patjetër do ta marrin edhe atë në pyetje në hetuesi. Vendosi bashkë me skuadrën e tij të punës dhe u arratisën. Menjëherë, gruan e tij dhe tre fëmijët i dërguan në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Niko Ifandaqi, duke vizituar kalanë, bën pyetjen: si mundi të duronte atje nëna e tij me vëllezërit më të vegjël?
HEBREU I FUNDIT i shkrimtarit Shkëlqim Hajno është për mua si një vëllim me tregime dhe novela të zgjedhura. Të gjitha pa përjashtim janë të realizuara artistikisht dhe estetikisht, me personazhe që të fiksohen në kujtesë me jetën dhe veprimtarinë e tyre para dhe pas viteve ‘90. Ndarjen kohore e bëjmë për efekt studimi, sepse jeta e njeriut nuk mund të kufizohet. Niko Ifandaqi u largua nga fshati shtatë vjeç, por pas viteve ‘90 shkon në fshatin e lindjes tri herë. Ishte 87 vjeç kur ecën në rrugicat e fshatit si djalë i ri.
Të bëjnë përshtypje dhe të lënë mbresa tregimet dhe novelat e shkrimtarit Shkëlqim Hajno, sepse janë shkruar me mjeshtëri, i imponohen lexuesit t’u shkojë deri në fund, sepse të rrëfyerit ka të papriturën si karakteristikë të veçantë. Shkrimtari Shkëlqim Hajno shkruan me dorë të sigurt, i ndërton tregimet dhe novelat me një arkitekturë dhe kompozicion origjinal, duke përdorur informacion të pasur jetësor dhe detaje të zgjedhura, që luajnë rol të rëndësishëm në portretizimin e personazheve, në skalitjen e karaktereve të tyre. Në një pjesë të mirë të tregimeve dhe të novelave përdoren në masën e duhur mjetet e humorit si: ironia, sarkazma dhe satira. Kjo flet për një të veçantë tjetër të tregimeve dhe novelave të shkrimtarit Shkëlqim Hajno.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb