Shkoi të takonte një mik që njohu në burg, Ervis Martinaj u zhduk pa gjurmë në zonën e Shijakut

Teksa janë mbushur tre javë nga zhdukja e mistershme e biznesmenit të njohur të lojrave të fatit Ervis Martinaj, Prokuroria dhe Policia e Shtetit, kanë ngecur në një pikë fundore, që është zona e Shijakut. Kjo zonë tregon lokacionin përfundimtar, ku është zhdukur Martinaj dhe këtu “mjegullohet” gjithçka. Hetimet e kryera përgjatë kësaj kohe kanë ndihmuar policinë, të ndërtojë intenerarin e lëvizjes së Ervis Martinaj. Ajo që tashmë është e sigurt dhe ku hetimi nuk po përparon, është pikërisht zona e Shijakut.

Në Shijak, Ervis Martinaj, është zhdukur pa adresë dhe nuk dihet asgjë për të, nëse është rrëmbyer dhe mbahet i gjallë apo personat që ai ka takuar atë natë e kanë ekzekutuar në vend. Shpresat e familjes, për gjetjen e biznesmenit gjallë janë zbehur.

Sipas burimeve të policisë, Martinaj, mbrëmjen e 8 gushtit, ka dalë rreth orës 18:30 nga ambjentet e këtij pallati, teksa silueta e tij është filmuar nga një kamera sigurie.

Martinaj shfaqet me syze dielli, tuta të shkurtra dhe me shapka. Teksa bën një lëvizje të shkurtër në zonë, këtu shfaqet një automjet tip “Audi A8”, i njëjti mjet që shfaqet ne 5 gusht në Hotel Adriatik në Durrës. Sipas pamjeve filmike, Martinaj hipën në sediljen e parë dhe makina largohet në drejtim të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, duke hyrë në rrugën e Laprakës. Ervis Martinaj u filmua për herë të fundit në Tiranë, tek “Zogu i zi” humbi çdo kontakt
Burimet bëjnë me dije se Martinaj në këtë pallat dispononte një apartament, të cilin e kishte marrë me qira. Ndërsa ka udhëtuar në drejtim të Kasharit, silueta e Martinaj dhe një personi tjetër që e shoqëronte, i cili dyshohet të jetë oficeri i arrestuar Jeton Lami, është ndaluar në ambjentet e një pike karburanti.

Pikërisht në këto ambjente, Martinaj, dhe shoqëruesi i tij, kanë ndërruar makinë, duke lënë “Audin A8” dhe marrë për lëvizje një automjet tjetër. Duke ndjekur intenerarin e lëvizjes së kësaj makine, ka rezultuar se Martinaj ka hyrë në zonën e Shijakut. Në këtë zonë besohet se biznesmeni është thirur nga një person të cilin e ka njohur në ambjentet e burgut 302 në Tiranë, kur 40-vjeçari është arrestuar dhe mbajtur 7 muaj në burg për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok.

Policia, por edhe familjarët nuk janë në gjendje ta shpjegojnë, se cili ka qënë qëllimi i vizitës së Martinajt në Shijak. Por ajo që dihet tashmë, është fakti se Martinaj ka hyrë në banesën e një emri mjaft të njohur të botës së krimit në këtë zonë.

Deri në këtë fazë të hetimit, nuk dihet asgjë rreth fatit të 40-vjeçarit, nëse është gjallë apo është vrarë dhe zhdukur. Familja e biznesmenit që jeton në Fushë-Kuqe të Laçit, ka humbur shpresat për gjetjen e tij të gjallë.

Ndërsa nga ana tjetër prej tre javësh, prokuroria e Laçit vijon të ketë aktiv një procedim penal për “rrëmbim personi”. Gjatë këtyre tre javëve, kërkimet janë duke u zhvilluar nga policia dhe paralelisht me të, kërkime private për gjetjen e Martinaj janë kryer edhe nga njerëz të familjes së tij.

Please follow and like us:
fb-share-icon