Familja Shpati është zgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një shpërthim i fuqishëm në banesën e tyre. Një sasi lënde eksploziv është vendosur në banesën e Pllumb Shpatit, shef i krimeve në Komisariatin e Shkodrës rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç, në periferi të Shkodrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale në dyer, mure, dritare si dhe në automjete.
Pllumb Shpati jetonte në një vile 3-katëshe së bashku me familjet e 2 vëllezërve të tij. Në total në familje janë 17 anëtarë. I pari që u prononcua për mediat ishte Gjergj Shpati, i ati i shefit të krimeve në policinë e Shkodrës.
Babai u shpreh se familja e tij nuk ka asnjë konflikt dhe se sulmi ka ardhur për shkak të detyrës. I moshuari u shpreh gjithashtu se dëmet materiale janë të shumta dhe se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. Ai kërkoi nga shteti të vijonte me hetimet.
Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raportoi se në dëshminë e 49-vjeçarit Pllumb Shpati nuk ishte dhënë asnjë detaj konkret, pasi ky i fundit nuk kishte asnjë dyshim se nga kush mund t’i kishte ardhur sulmi.
Sidoqoftë, për blutë e Shkodrës ka një shans për identifikimin e autorit falë disa kamerave të sigurisë në hyrje të lagjes Dobraç.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin që iu afrua banesës së shefit të krimeve, Pllumb Shpati për të vendosur sasinë e tritolit. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç.