TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e datës 18 maj, në Tiranë, në lagjen ‘Ali Demi’ në rrugën ‘Teodor Muzaka’. Një 23-vjeçare u gjet e pajetë në banesën ku jetonte me qira, pasi kishte ardhur në kryeqytet për të studiuar.
Kur ngjarja u bë publike, u aludua se viktima Evgjeni Baxho kishte ndërruar jetë si pasojë e një infeksioni në dhëmballë, por në dokumentin e Policisë Gjyqësore janë zbardhur detaje të frikshme. Në dokument thuhet se në momentin që në banesë kanë shkuar grupi hetimor me ekspertin kriminalistik dhe mjekun ligjor në trupin e viktimës janë vënë re disa shkresa.
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është vënë re në trupin e kufomës, në pjesën e barkut një shkrim i panjohur, i bërë me lapostil me ngjyrë të kuqe nga kërthiza deri në pjesën e ezofagut. Po ashtu gjatë autopsisë në pjesën e shpinës së kufomës janë vërë re tre shkrime të tjera të panjohura, të bëra po ashtu me lapostil të kuq”, thuhet në dokument.
Më tej thuhet se në cilësinë e provës materiale janë janë sekuestruar dy telefonat tip Samsung në pronësi të viktimës, një laptop i saj, një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut dhe një fletë format A4 e shkruar me stilolaps blu. Po ashtu edhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me ngjyrë të kuqe dhe jeshile.
“Gjatë këqyrjes së banesës në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefonat tip Samsung në pronësi të kufomës dhe një laptop i saj. Po ashtu janë sekuestruar një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut për të cilën është bërë vendimi biologjik. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një fletë format A4 i shkruar me stilolaps blu dhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me ngjyrë të kuqe dhe jeshile dhe objekte të tjera të ngjashme”, përmbyllet dokumenti i oficerit të Policisë Gjyqësore.
Materialet procedurale në lidhje me këtë ngjarje i kanë Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë deri në dalje të aktit të ekspertimit për shkakun e vdekjes./