Vajza nga Saranda Persida Shkrepa emërohet në krye të Institutit të Ndërtimit
Pedagogia dhe arkitektja Persida Shkrepa është emëruar në krye të Instituti i Ndërtimit, një nga institucionet kyçe për sektorin e ndërtimit në vend.

Persida Shkrepa është me origjinë nga Saranda, ndërsa emërimi i saj vjen pas një angazhimi të gjatë profesional në fushën e arkitekturës dhe arsimit të lartë. Ajo është prezantuar ditën e sotme me stafin e institucionit, ku pritet të drejtojë proceset teknike dhe institucionale të Institutit të Ndërtimit.
Shkrepa ka qenë gjithashtu kandidate për deputete në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e majit 2025, duke u përfshirë aktivisht në jetën publike dhe politike përpara marrjes së kësaj detyre institucionale.
Ajo ka ndjekur studimet e larta në Tiranë dhe, pas diplomimit në arkitekturë, ka ushtruar aktivitetin e saj profesional si arkitekte dhe pedagoge. Paralelisht, ka hapur edhe studion e saj profesionale, ku ka realizuar projekte të ndryshme ndërtimore.
Përvoja akademike dhe profesionale e Shkrepës pritet të kontribuojë në forcimin e rolit të Institutit të Ndërtimit dhe në zhvillimin e mëtejshëm të standardeve teknike në industrinë e ndërtimit në Shqipëri.









