Vjedhja e 173 milion lekeve ne nentor ne Sarande, zbulohet dosja e prokurorise. Nje nga autoret kerkon lirine, Gjykata s’ia pranon
Gjykata e Sarandes, ne seancen e drejtuar nga Fatmir Ndreu, nuk ka pranuar para pak ditesh kerkesen e 38-vjecarit Bekdash Cukalla, i njohur si “Bushi” per te lene qelite e paraburgimit ku ndodhet prej 29 dhjetorit si i dyshuar per vjedhjen ne bashkepunim te rreth 173 milione lekeve ne Supermarket “Halo” ne Sarande ne 11 dhjetor 2021. Cukalla, pronari i nje firme kamerash sigurie, te njejtes qe kishte montuar kamera e Supermaketit, akuzohet se bashkepunoi ne vjedhje me Edmond Duzhen, nje 41-vjecar, banues ne Laç, i denuar me pare ne Itali per “vjedhje” dhe “sulm ndaj policise”. Edhe ky i fundit ka bere kerkese per zevendesim mase sigurimi, e cila eshte hedhur ne short ne 27 prill duke i’u caktuar Gjyqtarit Fatmir Ndreu dhe pritet te shqyrtohet ne ditet ne vijim. Sipas dosjes se prokurorise, hetimet e se ciles po kryhen nga Prokurori Ilir Hoxha, ne vjedhje moren pjese 3 persona, te cilet edhe pse bashke me parate moren edhe dy pajisje rregjistrimit kamerash, jane filmuar në orën 01:30:40, të datës 11.12.2021, nga disa kamera te tjera në ambjentet e katit të dytë të këtij subjekti teksa hyjne nga një dritare. Me pas nje tjeter filmim me rendesi eshte ai në orën 02:52:36, të datës 11.12.2021, ku shfaqen po këta shtetas dhe në duar mbajnë dy aparatura te llojit “DVR” si dhe dy çanta me rripa. Pikerisht ne canta mendohet se ndodhet shuma 155’000’000 Lekë te vjetra, 14’000 Euro dhe 1’000 Dollarë.
Futja ne garazh tradhetoi autoret
Policia ndoqi kamerat e vendosura nga Bashkia Sarande ne pika te ndryshme te qytetit dhe arriti te siguroje pamjet filmike të kamerave të cilat ndodhen në kryqëzimin e rrugës “Adem Sheme” me rrugën “Gjergj Araniti”, ku dallohet se në orën 01:11:16, të datës 11.12.2021, pra 19 minuta para vjedhjes, nga garazhi i pallatit të shtetasit M. Gjiçali, dalin tre shtetas me karakteristikat si ata të fiksuar nga kamerat e njësisë “Market – vëllezërit Halo” dhe marrin rrugën “Adem Sheme”, në drejtim të rrugës “Musa Demi”. Më pas, po këta shtetas në orën 03:11:34, të datës 11.12.2021, shfaqen duke ardhur nga poshtë rrugës “Adem Sheme” dhe futen përsëri në garazhin e këtij pallati. Dallohet qartazi se ata janë me të njëjtat veshje si dhe me dy çanta në krah. Në vazhdim të këqyrjes të kësaj kamere, në orën 05:58:59, të datës 11.12.2021, nga garazhi i këtij pallati del një automjet me portobagazh me ngjyrë të errët. Janë këqyrur pamjet filmike të Bashkisë Sarandë të cilat ndodhen të vendosura tek rreth-rrotullimi i rrugës së pestë ku në datë 10.12.2021, në orën 16:52, nga kamera e cila është e pajisur me lexues targa, është bërë i mundur të përcaktohet automjeti i dyshuar dhe targa e tij. Automjeti është i markës “Citroen – C5”, me targë “AA 465 VZ” ne pronesi te Edmond Duzhes. Nga këqyrja në vijimësi të këtyre pamjeve rezulton se në orën 19:18, të datës 10.12.2021, shfaqet një automjet i markës “Audi – A4”, me targa “AA 060 UJ”, me pronar shtetasin Bekdash Cukalla dhe pasi parkon disa metra më lart hyrjes së garazhit, zbret nga makina dhe shkon në drejtim të hyrjes së garazhit dhe qëndron në këmbë aty. Rreth 20 sekonda më vonë shfaqet automjeti i markës “Citroen – C5”, me targë “AA 465 VZ”, i cili afrohet në hyrje të garazhit. Nga pamjet duket që shtetasi Bekdash Cukalla komunikon me shtetasin ose shtetasit që ndodhen në automjetin e markës “Citroen – C5”, me targë “AA 465 VZ”, duke i orientuar se ku duhet të hynin dhe në të njëjtin moment hyjnë së bashku në garazhin e pallatit.
“Bushi” dyshohet fshiu kamerat e garazhit
Në dinamikë të kryerjes së veprimeve hetimore, është shkuar në garazhin e pallatit të shtetasit M. Gjiçali, ku është konstatuar se ky garazh kishte kamera sigurie si dhe një numër telefoni. Pasi është komunikuar me këtë numër, në garazh është paraqitur shtetasi Bekdash Cukalla, i cili merret me biznesin e montimit të kamerave të sigurisë dhe ka vënë në dijeni se kamerat ishin të vendosura nga motra e tij, shtetasja F. B., e cila ka një apartament në katin e dytë dhe pikërisht sipër garazhit. Eshtë bërë sekuestrimi i aparaturës së llojit “DVR” me qëllim nxjerrjen e pamjeve filmike që lidhen me objektin e hetimit. Pasi është hapur kjo aparaturë e llojit “DVR”, është konstatuar se pamjet filmike ishin të ruajtura vetëm një minutë nga data 10.12.2021 dhe, më pas, filmimi fillonte në mëngjesin e datës 12.12.2021 dhe në vazhdim. Për këtë arsye, pajisja DVR është dërguar pranë Institutit të Policisë Shkencore për t’iu nënshtruar ekspertimit kompjuterik. Bazuar në dyshimet e krijuara nga mosruajtja tek kjo aparaturë e llojit “DVR” e regjistrimeve filmike të datës 11.12.2021, pra të ditës së ngjarjes që lidhet me vjedhjen e njësisë “Market – vëllezërit Halo”, si dhe nga informacionet e siguruara që bënin fjalë se më datë 11.12.2021, në këtë zonë, nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike, në atë fazë të hetimit, janë formuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Bekdash Cukalla mund të jetë një nga bashkëpuntorët e vjedhjes së njësisë “Market – vëllezërit Halo”, dyshim ky i lidhur ngushtësisht edhe me faktin se ky shtetas kishte montuar kamerat e sigurisë në njësinë “Market – vëllezërit Halo” dhe ishte një nga personat i cili kishte akses hyrje në ato kamera sigurie.
Gjykata nuk i pranon kerkesen per liri
Ne seancen e disa diteve me pare Cukalla ka kerkuar ndryshimin e mases se sigurise “Arrest me burg”, gje qe nuk u pranua nga Gjykata. Mes argumentave te tjera, avokati mbrojtesi shprehu: “Aksesi i kamerave të sigurisë së supermarketit nga Bekdash Cukalla nuk është vërtetuar, madje ka prova që ka patur dhe ndërhyrje në monitorim nga të tjerët; komunikime të vërtetuara implikuese nuk ka; kontrollet nuk sollën gjë dhe kamerat e rrugës nuk e afrojnë me marketin, ai mund të dijë, po jo për ngjarjen. Në hetimet në vazhdim rezulton se do të duhet ende kohë për arritjen e konkluzioneve të qarta mbi pasojën, mbi autorë të tjerë, mbi implikimin ose jo dhe kjo nënkupton vërtet shumë kohë. I dyshuari është në paraburgim, mjedisi më ekstrem i kufizimit të lirisë në një proces, në një kohë të konsiderueshme. Mjedisi i izoluar dhe në kontakte përfaqëson një vatër reale të mundshme “Covid 19” që bëhet me risk të lartë, kjo do të ishte një sjellje tej humanes, madje dhe kundër orientimeve për sjelljen me masat e sigurimit në kushte pandemie dhe të kufizimeve për shkak të saj”.