Vodhën pako me ndihma të dhuruara për qytetarët, 4 punonjës të bashkisë në pranga (Emrat)

Katër punonjës të bashkisë së Pogradecit kanë rënë në prangat e policisë pasi vodhën ndihma të dhuruara për qytetarët. Ata janë identifikuar si Reshit Fraholli, 58 vjeç; Raif Muçka, 58 vjeç; Bektash Xhudellari 35 vjeç; Marsel Muçllari, 35 vjeç.

Të katërt, me detyrë punonjës pranë bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie. Mësohet se njëri prej tyre, Reshit Fraholli ka qenë kandidat për kryetar në Komunën Cerravë si dhe ka punuar tek Ujësjellës Kanalizime në Pogradec.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pakoja e fundit”, u sekuestruan pakot e vjedhura dhe automjeti tip “Audi”, me të cilin do të transportoheshin.

Operacioni u zhvillua nga një video e publikuar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale, në të cilën shfaqeshin punonjës të bashkisë Pogradec që vidhnin pako me ndihma të dhuruara nga donatorë të huaj për komunitetin e Pogradecit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.

Please follow and like us:
fb-share-icon