Efthimious Efthimiou, i cili luajti rolin e ekzekutorit në vrasjen e Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur në 29 janar të vitit 2018 është dënuar me burgim të përjetshëm.
Mësohet se dënimi është dhënë sot nga trupa gjykuese, gjatë seancës së mbajtur në GJKKO. Ndërsa, Elton Halipaj, bashkëpunëtori i tij në krim, u dënua me 33 vite burg.
Kjo ishte pikërisht pretenca që dha Prokuroria më herët për grekun ekzekutor, ndërsa për Halipjan, kërkoi 35 vite burg.
Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, pas një pritje të ngritur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Dy persona me motoçikletë, shtinë mbi 41-vjeçarin, duke e lënë të vdekur. Ata kanë qëlluar pesë herë, në kokë dhe në trup, duke u siguruar për ekzekutimin e shënjestrës së tyre. Identifikimi i Eftimiut u bë nga kamerat e sigurisë ku duket një furgon i bardhë me të cilin ata afrohen pak momente para se të vritej Kasmi e më pas largohen me të njëjtin mjet.
Porositës i vrasjes dyshohet se është Aurel Hoxhallari. Motivi i këtij krimi mbetet ende i pazbardhur nga policia ndërsa dyshohet se pas përplasjeve mes grupeve kriminale Hoxhallari ka paguar për ekzekutimin e Kasmit duke kontaktuar ish-komandon grek.