Mediat greke shkruajnë për zhdukjen e biznesmenit shqiptar Xhani Topalli, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë. Newsbomb.gr shkruan se vendi është në ankth për zhdukjen e biznesmenit të ndërtimit, baba i tre fëmijëve të mitur në Rodos.
Ai rezulton i zhdukur që nga 28 gushti. Sipas informacioneve, 46-vjeçari pasditen e së dielës ka qenë me një grup shokësh dhe në mbrëmje do të takohej me një klient në një njësi hoteliere. Nga kontrolli i kamerës rezultoi se ai është nisur drejt zonës ku dhe do të zhvillonte takimin me klientin, por ende nuk janë zbardhur detaje të tjera.
Edhe pse familja nuk dëshiron të aktivizojë alarmin social “Silver Alert” për zhdukjen e 46-vjeçarit, ekipi i shpëtimit të shërbimit social po merr pjesë në kërkimin e biznesmenit të ndërtimit në bashkëpunim me policinë lokale të Rodosit.
Celulari i tij del i fikur dhe makina i është gjetur i braktisur dy kilometra larg shtëpisë. Pista e parë ku po hetohet janë borxhet që kishte shqiptari e nuk përjashtohet një pengmarrjeje. Kryetari i shërbimit social, Gerasimos Kourouklis tha se nuk përjashtohet mundësia e një vepre penale, e ndoshta edhe eliminimi i shqiptarit, por shtoi se është shumë herët për të dalë në përfundime pa pasur asnjë provë.
Saranda News