Zhdukja e “të fortit”, RENEA rrethon qytetin dhe futet në shtëpitë e të kërkuarve

Forcat elitë RENEA zbarkuan mbrëmjen e së enjtes në Shijak. Fokusi i kontrolleve, të kërkuara nga Policia e Durrësit, ishin personat që vijojnë të jenë në kërkim në kuadër të operacionit “Porositësi”, përmes së cilit u arrestuan 15 persona, përfshirë vëllezërit Gentjan e Indrit Beqiraj që rrëfyen mbi disa ngjarje të pazbardhura. Por, në fokus të strukturës elitë RENEA në kontrollet e kryera në Shijak ishin edhe persona të tjerë me rekorde kriminale, mes tyre Ervis Martinaj. I konsideruar si bosi i lojërave, fati i 40-vjeçarit mbetet akoma mister, ndërsa po aq mister mbeten edhe rezultatet e policisë në këtë aksion të kryer. Nuk dihet nëse ka persona të shoqëruar apo arrestuar, teksa blutë nuk kanë reaguar zyrtarisht.

Kontrollet e forcave speciale RENEA janë kryer në banesa dhe biznese, duke përfshirë lokale dhe hotele të zonës, me synimin e kapjes edhe të personave shpërndarës të lëndëve narkotike apo amrëmbajtes pa leje. Në këkrim për operacionin “Porositësi” vijojnë të jenë Aleksander Laho apo Rrumi i Shijakut, bashkë me njerëzit e tij, Agron Bejdolli, Dritan Ferra alias Muça dhe Prifti, Alban Skonja, si dhe Kevin Zeneli i njohur si Kevin Suçi.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të këtij viti. Në harkun kohor të dy muajve, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Policia, mesa duket, e ka një përgjigje për fatin e 40-vjeçarit, por është në kërkim të provave për t’ia servirur edhe opinionit publik. Të njëjtën gjë përsëritën disa kohë më parë Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku.

Please follow and like us:
fb-share-icon