Një rast kontrabandë është zbuluar ditën e sotme në Portin e Vlorës. Një 44-vjeçar është vënë në pranga pasi është zbuluar se kishte fshehur në kamion dhjetra steka me cigare. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, nën dyshemenë e rimorkios, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura rreth 380 paketa me cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Personi me inicialet B.R, do të hetohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Goditet një tjetër rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Kishte fshehur nën dyshemenë e rimorkios së kamionit, dhjetëra steka me cigare, me qëllim kontrabandimin e tyre, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari. Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion me drejtues shtetasin B. R. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, nën dyshemenë e rimorkios, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura rreth 380 paketa me cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin B. R., 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.