Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të një hetimi me metoda proaktive, të nisur 3 muaj më parë, në drejtimin e Prokurorisë, për një shtetas të dyshuar për veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës, emigrantëve nga vendet e treta, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Komisariatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fishnet”.
Gjatë këtij operacioni, në lagjen nr.2, Sarandë, janë kapur dhe vënë në pranga shtetasit:
K. K., 30 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim S. B., 19 vjeç, banues në Tepelenë.
Shtetasit K. K., në momentin e arrestimit, në banesë, Policia i ka gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në 41 doza.
Në banesën e këtij shtetasi ndodhej edhe ish-kunati i tij, shtetasi S. B., i cili gjithashtu u arrestua, pasi gjatë kontrollit në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 41 dozat e kokainës, arma e zjarrit, municioni luftarak dhe 5 aparate celulare.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet shtesë në ngarkim të shtetasit K. K. dhe materialet për arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B. janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.