Agjencia e Mbrojtjes Civile apel bashkive: Çohuni në këmbë, mobilizoni strukturat dhe mjetet

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëri apel sot të gjithë bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje pasi vendi ynë sot dhe gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfshihet nga reshje me intensitet të lartë.

Sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave IGJEO ditën e sotme moti është me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.

Ditën e shtunë, 4 nëntor, priten reshje intensive në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

Të dielën, 5 nëntor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shtrëngata.

Ndërsa ditën e hënë, 6 nëntor, pritet një pakësim i reshjeve, ato priten të jenë të dobëta në të gjitha qarqet. Të martën, 7 nëntor priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës reshjet pritet të arrijnë lokalisht deri mesatare.

Duke iu drejtuar qytetarëve Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tha se “siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”.

“Në kohët e sfidave, ndihma ndaj njëri-tjetrit është thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment”, tha AKMC.

Please follow and like us:
fb-share-icon