Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi takim me banorët e fshatit Oshtimë, Njësia Administrative Qendër. Pasi u njoh me problematikat dhe kërkesat e banorëve, Gjiknuri theksoi se është pikërisht kjo arsyeja se përse zgjodhi që në 25 Prill të jetë përfaqësuesi i kësaj zone, për të qënë një zë i fuqishëm në tërheqjen e sa më shumë investimeve infrastrukturore, në mënyrë që të përmirësohet standarti i jetesës duke theksuar se prandaj kërkohet mandati i tretë qeverisës për të investuar në zonat rurale.
“Zgjodha të përfaqësoj Njësinë Administrative Qendër pasi ashtu siç janë bërë shumë investime në Vlorë ky do të jetë mandati i rikualifikimit të zonave rurale. Projekti për ujësjellësinë e ri do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të mungesës së ujit të pijshëm”, u shpreh Gjiknuri ndërsa bëri të ditur se këto ditë pritet mbyllja e kontratës dhe nisja e punës konkrete.
Gjiknuri theksoi faktin se është parashikuar dhe projekti për rikonstruksionin e aksit të vjetër Levan- Vlorë. “Të gjitha këto investime bëhen realitet vetëm në saj të vëmendjes së Kryeministrit Edi Rama, i cili ka bërë për Vlorën atë që nuk e bëri askush. Përmes votës dhe mbështetjes për Partinë Socialiste, ne sigurojmë garancinë e zbatimit konkret të të gjitha projekteve të parashikuara edhe për fshatin Oshtimë, fshat i cili është në hartën e zhvillimeve infrastrukturore që do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së jetesës.
Kjo do të bëhet realitet vetëm nga Partia Socialiste ndërsa gjithë të tjerët i kthejnë sytë nga ju vetëm për fushata elektorale pasi e kanë vërtetuar se nuk dua t’ja dinë për hallet dhe shqetësimet tuaja”, theksoi Gjiknuri.
Deputeti Fate Velaj pohoi se Damian Gjiknuri me përfaqësimin e tij do të ndikojë në shtimin e investimeve për fshatin Oshtimë duke përmbushur nevojat bazike të zonës me qëllim për të zgjidhur përfundimisht problematikat e banorëve.