Prej 16 vitesh zona e Sarandës nuk ka patur asnjë deputet nga Saranda, por deputetë të importuar ose nga Tirana ose nga Vlora. Si në 8 vitet e pushtetit të Partisë Demokratike, kur Saranda kishte si përfaqësues Astrit Patozin dhe më pas të Arben Ristanin, ashtu edhe në 8 vitet e pushtetit të Partisë Demokratike, Saranda është përfaqësuar nga Koço Kokëdhima e më pas nga deputeti aktual i PS Alket Hyseni. Pra, asnjë nga deputetët nuk ka qenë nga Saranda.
Saranda gjithashtu, këto 16 vite, por edhe sot, mbetet e papërfaqësuar edhe në Drejtoritë Rajonale, qendrat e të cilave ndodhen të gjitha në Vlorë dhe të gjithë drejtuesit janë nga Vlora.
Publikimi më i fundit i Saranda Web për emrat e rinj të kandidatëve të cilët pretendojnë një vend në Parlamentin e zgjedhjeve të 25 prillit nxorri në dritë dëshirën e qytetarëve për të patur deputet nga qyteti, aq më tepër që vetëm qyteti i Sarandës ka rreth 15.000 pjesëmarrës në votime, pra jo për 1 deputet, por për 2.
Por deri tani partitë politike duket se nuk e kanë në konsideratë këtë dëshirë të qytetarëve sarandjotë.
Partia Demokratike, e cila ka marrë në maksimum 5 deputetë në Qarkun e Vlorës, nuk duket të ketë akoma ndonjë vendmmarrje, përveç takimeve të shumta që ka zhvilluar Bujar Leskaj, i cili është prezantuar si Kordinator i Qarkut.
Partia Socialiste nga ana tjetër, e cila në zgjedhjet e fundit mori 9 mandate në Qarkun e Vlorës, duket se përveç deputetit aktual Alket Hyseni, sjell si kandidate edhe ministren e Financave Anila Denaj, e cila pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje me zonën e Sarandës, ka filluar takimet dhe ardhjet në Sarandë cdo fundjavë, çka të bën të mendosh se edhe në 4 vitet e ardhshme Saranda do të vijojë të përfaqësohet nga persona pa lidhje me Sarandën. /SARANDA WEB