Një 62-vjeçar, i identifikuar si Vasil Babinis është arrestuar nga policia në Korçë pasi tentoi të vriste me sëpatë një 73-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Menkulas dhe u rpaortua si ngjarje aksidentale pasi i moshuari kishte deklaruar se ishte rrëzuar aksidentalisht në oborrin e banesës së tij.
Pas hetimeve, rezultoi se 62-vjeçari për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë Vasil Babinis , 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.