U zu me 3 moshatarët në kalçeto, 17-vjeçari shkon merr kallashnikovin! Arretohet nga Policia

Pas një konflikti të çastit në një kalçeto me 3 bashkëmoshatarë, një 17-vjeçar ka marrë një armë zjarri kallashnikov me të cilën po qarkullonte në qytet për të shkuar në vendin ku u konfliktua, por është arrestuar nga efektivët e Policisë.

Në sallën operative Tepelenë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, një shtetas qarkullonte me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i shtetasit R. H., 17 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit automatik që ai mbante me vete.

Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me tre bashkëmoshatarë, është larguar, ka marrë një armë zjarri dhe më pas është rikthyer në vendin e konfliktit.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve policore është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, shtetasi R. H., i cili në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit R. H., u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Please follow and like us:
fb-share-icon