Një vdekje e dyshimtë alarmon Himarën. Bujar Çela, 43 vjeç me zanat berber gjendet i vdekur në dyqanin e tij. Dy janë pistat e policisë, e para se viktima është asfiksuar nga motori që kishte brenda në dyqan dhe e kishte lënë brenda dhe e dyta se viktima ka humbur jetën pasi mund të ketë përplasur kokën në tualet dhe të ketë ndërruar jetën.
Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Himarë, ku një berber është gjetur i pajetë brenda ambienteve të berberhanes. Bujar Çela, 43 vjeç, u gjet i pajetë në orët e para të së mërkurës, ndërsa bëhet me dije se është dashur thyerja e xhamave nga ana e uniformave blu për të hyrë brenda në dyqan. Në momentin që policia ka hyrë brenda berberhanës, motori është gjetur i ndezur, ndërsa deri më tani nuk ka patur pretendime për vdekjen e tij, dhe ajo është raportuar si një vdekje aksidentale tek familja. Por për vdekjen e tij janë dy pista. E para se: 43-vjeçari ka harruar motorin ndezur natën dhe ndotja i ka shkaktuar asfiksinë dhe vdekjen.
Ndërsa e dyta, se berberi është gjetur i vdekur në tualetin e dyqanit, dhe se mund të ketë rrëshqitur dhe të ketë gjetur vdekjen pas përplasjes së kokës.
Këto dy pista janë në duart e grupit të efektivëve që kanë mbledhur të dhëna dhe pritet të ‘shuhen’ pas autopsisë. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit është dërguar sot në banesën e fundit në Librazhd, pasi po të njëjtat burime i thanë Dosja.al se berberi jetonte në Librazhd, ndërsa në Himarë punonte si berber në dyqanin e tij që kishte hapur prej disa kohësh. Familja e tij ndodhet në Librazhd, ndërsa mësohet se viktima nuk ka patur konflikte apo precedentë të mëparshëm penalë.